Connect with us

Sport

Duka dhe Libohova, “selam” qeverisë

Published

on

Sot, Liga Profesioniste e Futbollit, ka sqaruar përsëri kërkesat e saj karshi qeverisë shqiptare. Para gazetarëve dalë Edvin Libohova, bashkë me kreun e FSHF-së, Armand Duka. Në fjalën e tyre, ata ngulmuan në ato që kërkojnë nga ekzekutivi. Libohova tha: “Pas takimit me zotin Ylli është rënë dakord që Liga të bënte propozime konkrete për ndryshimet ligjore. Në praninë e ekspertëve, Liga ka formuluar kërkesat e veta. Kryesisht është fjala për Ligjin e Sponsorizimeve. Jemi në pozicionin që ia kemi ribërë kërkesat qeverisë, tani po presim reagimin e saj. Po e ndjekim çështjen në dinamikë. Jemi optimistë se topi do të shkojë sa më shpejt në fushat e blerta. Po mendojmë edhe se kur duhet t’i kthehen tifozët stadiumeve. Tani ftoj kreun e FSHF-së për t’i shpjeguar kërkesat tona”.

Duka i shtjelloi kërkesat në këndvështrimin financiar dhe ekonomik: “Përmes këtij komunikimi duam t’ju japim përgjigje pikave dhe nevojave të sportit shqiptar. Kjo është një lëvizje e FSHF-së, e nisur 5 vite më pare. Po iu kthej përgjigje edhe atyre që thonë se ku i ka Liga zyrat. Bojkoti është një gjykim më vete, format e protestës janë të ndryshme. Kemi minimizuar kërkesat, tani mbetet në vullnetin e qeverisë për mbështetjen e sportit. Edhe ekspertët pranë qeverisë e kanë pranuar se sporti ka nevojë për ndryshimet në ligjin e spornsorizimeve.

Kemi kërkuar që ligji i sponsorizimeve të aktivizojë biznesin shqiptar. Përmes afrimit të biznesit mund të përmirësojmë infrastrukturën dhe të masivziojmë sportin, duke gjeneruar të ardhura të mëvonshme. Vëmendja për sportin u bë më e madhe pas Europianit. Kemi bërë disa projektligje të përafërta me këto që ka kërkuar sot Liga, janë propozime të disa viteve më parë. Kemi sugjeruar variantin e Hungarisë, që ka një ligj të mirë për sponsorizimet, ia kemi nisur edhe kryeministrit.

Përderisa Shqipëria nuk ka minsitri sporti, kemi qenë ne, që i kemi bërë propozimet, pasi këto bëhen nga ministria e linjës. Ligji i Sportit duhet përmirësuar, pikërisht përmes ligjit të sponsorizimit. Propozimi ynë? 30 për qind e tatimeve të biznesit të shkojë për investime në sport. 165 milionë euro janë të ardhurat nga tatimet dhe 30 për qindëshi është 50 milionë euro, i cili duhet të shkojë për sportin. Në vitet e para shpresojmë që të arrihet kjo, duke shkuar në 60 për qind për sponsorizimet në sport.

50 për qind të jetë për infrastrukturën; 25 për qind për bazën e fëmijëve dhe 25 për qind për klubet. Propozojmë që të ngrihet një komision i posaçëm, që të vlerësojë projektet e paraqitura në infrastrukturë dhe dy rastet e tjera. Ne synojmë që klubet të jenë 100 për qind të formalizuar. Nuk mund të marrësh sponsorizim nëse nuk je i formalizuar. Në vitin e parë dhe të dytë nuk arrihet kjo, mund të bëhet në vitin e 5-të pa tatimin përkatës.

Supozojmë se komisioni ka miratuar 400 mijë euro buxhet dhe çdo ekipi nuk i lejohet të marrë më shumë se 200 mijë euro sponsorizim. Klubet nuk mund t’i marrin, nëse nuk janë të licensuar. Kjo çon në formalizim. Kjo ndodh edhe në basketboll e sporte të tjera. Nëse buxheti është më i madh, atij klubi nuk i lejohet të marrë më shumë se gjysma e buxhetit të miratuar. Pra për basketbollin është miratuar 375 mijë euro.

Jam kundër bojkotit në sport, por Kategoria Superiore ka gjetur këtë zgjidhje dhe nuk dua që kjo të ngjyroset politikisht. Dëgjova ministren e financave dhe më erdhi keq për logjikën e përdorur. Ministrja duhet të logjikojë 360 gradë, nuk mund të thotë se futbolli nuk sponsorizohet. Sporti është i yni, i fëmijëve tanë. Ligji në Kosovë është se 30 për qind e totalit të fitimeve mbi tatimet shkon për sponsorizim. Janë të ardhura që nuk prodhojnë tatim. Nga reklamat, të ardhurat janë të tatueshme. Jemi të bindur se këto ndryshime do të sjellin zhvillim në sportin shqiptar.

Nëse nga ky ligj sponsorizimi, buxhetit të shtetit i ikin 30 milionë euro, në të ardhmen do të marrë disafishin e shumës. Ky ligj të bëhet për sportin, harrojini interesat politike. Disa nga presidentët kanë deklaruar që, nëse e miraton këtë ligj, do ta votojnë qeverinë socialiste, pavarësisht këndvështrimeve politike. Ky ligj duhej miratuar dje dhe më besoni që nuk do më shumë se pesë minuta kohë. Më lejoni të perifrazoj një president të Superligës, kur i tha kryeministrit të mos dëgjojë servilët. Qeveria mos të dalë të tregojë sa ka bërë për futbollin, sepse në fakt i ka bërë me mbështetjen e federates. Kategoria Superiore paguan 500 milionë lekë tatime në vit, por ne duam idealen, sepse e dimë që jo gjithçka është formale.

Bujqësia është jetike, sporti i domosdoshëm. Ne nuk themi të mos paguhen detyrimet fiskale, por të falen gjobat dhe kamatvonesat, gjë që qeveria e ka bërë rëndom. Kjo do të ndikonte 1 milion euro në buxhetin e shtetit. Nëse nuk duan ta bëjnë këtë, le të miatojnë ligjin e sponsorizimit. Jemi vendi i fundit, ndaj nuk marrim dot lojtarë, sepse na i marrin të tjerët. Lojtarët tanë kualitativë kanë shtegtuar në Kosovë edhe prej kësaj gjëje. Nëse duam ta formalizojmë, nevojitet më shumë se dy vite për tatim-taksat. Nëse ky është lëngimi i madh, atëherë mos ta bëjnë pjesën e tatimeve, le të merren me ligjin e sponsorizimeve.

Që në 6 gusht kemi informuar UEFA-n dhe FIFA-n për vendimin tonë, janë në dijeni të situatës. Kam pasur personalisht një bisedë me presidentin e UEFA-s dhe kemi diskutuar për zgjidhje. Të gjithë janë të interesuar që kjo çështje të zgjidhet. Kur kam folur me kryeministrin, më ka thënë që sportit i duhen këto ndërhyrje ligjore, por kur kanë shkuar në duart e ekspertëve, që dikush i quajti servile, janë tjetërsuar”.

Facebook

Trending