Connect with us

Lajme

VOA ngre alarmin për qarkun në jug të vendit

Published

on

Në 24 orët e fundit në Shqipëri u regjistrua një tjetër rekord i rasteve të reja me koronavirus e po ashtu dhe i viktimave. Të dhënat e ministrisë së Shëndetësisë bënë të ditur se janë konfirmuar 836 të prekur, ndërsa 15 persona humbën jetën, mes tyre dhe një fëmijë 16 muajsh. Edhe numri i të shtruarve në spitale vijoi të rritet, duke u ngjitur në 436 pacientë.

Ndërsa Tirana mbetet epiqendra e epidemisë, përmasat e infektimit po zgjerohen kohët e fundit edhe në Qarkun e Gjirokastrës. Autoritetet po marrin masa duke mbyllur biznese, institucione arsimore dhe administrative. Shqetësimi më i madh lidhet me prekjet nga infektimi të personelit të spitaleve dhe shëndetit publik, të cilat po përballojnë analizat dhe trajtimin paraprak të të sëmurëve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Gjirokastër, Raimond Kola sjell një përshkrim të situates.

Përmasat e infektimit me koronavirus po zgjerohen në Qarkun e Gjirokastrës ndërkohë që autoritetet po marrin masa me mbyllje biznesesh, institucionesh arsimore dhe administrative. Shqetësimi më i madh lidhet me prekjet nga infektimi të personelit të spitaleve dhe shëndetit publik, të cilat po përballojnë analizat dhe trajtimin paraprak të të sëmurëve.

Qarku i Gjirokastrës u rendit të enjten pas Tiranës me rreth 100 raste pozitive me koronavirus ku 71 prej tyre ishin në rrethin e Gjirokastrës. Pandemia po i zgjeron përmasat në Qarkun e vogël në Shqipëri, me një humbje të madhe të popullsisë vitet e fundit, për shkak të lëvizjeve demografike.

Përgjatë tetë muajve Qarku që përfshin edhe Tepelenën dhe Përmetin ishte një “zonë e gjelbër”, ndërsa prej disa ditësh është një “zonë e kuqe” me rritje infektimesh në të tre rrethet që përfshijnë shumë institucione arsimore dhe administrative njësi biznesi dhe personel shëndetësor.

Shefi i Epidemiologjisë në Gjirokastër Arenc Brahimi thotë për Zërin e Amerikës se vatrat janë të shumta sidomos në bizneset e prodhimit të veshjeve. I pyetur se cilat janë shkaqet e kësaj përhapje zoti Brahimi u përgjigj:

“Sipas një studimi që kemi bërë ne si shërbim epidemiologjik kjo ka ardhur si pasojë e lëvizjes së njerëzve në këtë periudhë pandemie në qytete të ndryshme, por edhe si pasojë e virozave të ndryshme stinore që njerëzit i neglizhojnë, sepse kujtojnë se janë grip i thjeshtë, por ato viroza janë “COVID 19”

Shefi i Epidemiologjisë në Gjirokastër pohoi se nga infektimet janë prekur personeli nga njësitë e kujdesit shëndetësor, por deri tani nuk është paralizuar puna e tyre.

“Edhe ne nuk bëjmë përjashtim, edhe në institucione shtetërore ka të prekur nga “Covid pozitiv”. Ne punojmë me një staf të reduktuar por deri tani situatën e përballojmë shumë mirë”.

Prekja e mjekëve në spitalin civil si dhe personelit ndihmës shihet me shqetësim pasi ky spital shërben edhe si qendër ku të sëmurët me ndërlikime të shëndeti nga infektimi paratrajtohen para se të nisen në spitalet COVID në Tiranë. Shefi i Epidemioligjisë në Gjirokastër kërkoi ndërgjegjësimin e qytetarëve për të mos rrezikuar përhapjen e mëtejshme.

“Duhet një ndërgjegjësim më i madh i qytetarëve që kanë shenja për Covid, duhet të vetëizolohen dhe të mos dynden tek mjeku i familjes por të futen në karantinë në shtëpi.”

Ndërkohë Bashkia e Gjirokastrës mbylli 5 kopshte për shkak të prekjes nga infektimi të personelit. Drejtoresha e Arsimit Doriana Demo tha se masat janë vendosur për të mos rrezikuar përhapjen e infektimit.

“Është java e dytë që ne kemi pjesën më të madh të kopshteve të mbyllura në qytet, deri tani janë 5 me një numër të madh të infektimeve të stafit mësuesor dhe stafit mbështetës, të cilët janë karantinuar në banesa.”

Zonja Demo tha më tej se masa plotësuese vijojnë të ndërmerren nga Bashkia. Përhapja e infektimeve ka ngjallur edhe reagime. Ish deputeti i Gjirokastrës në Parlament Tritan Shehu kërkoi shpalljen e qarkut si “zonë e rrezikut të vecantë” si dhe masa për të forcuar kapacitetet e strukturave shëndetësore vendore. Zoti Shehu ka këmbëngulur ditët e fundit përmes komunikimeve me gazetarët se disa aktivitete publike në Gjirokastër kanë nxitur përhapjen e virusit, ndërsa autoritetet vendore kanë pohuar se pretendime të tilla nuk qëndrojnë, pasi stafet e njësive akomoduese të vizitorëve nuk kanë njohur infektime.

Facebook

Trending